Po afrohet Ramazani! (Pjesa 6)
19.12.2009 20:11:42

Gabime të agjëruesve në Ramazan

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin, Muhamedin alejhi selam. Jemi dëshmitarë se muaji i shenjtë po afrohet me shpejtësi. Jemi në prag të këtij muaji të dalluar, muaj i mëshirës, i bereqetit, i faljes së gjynaheve, muaj i investimit dhe i depozitimit të punëve të mira, prandaj dëshiroj të paraqes disa nga gabimet që përsëriten shpesh nga agjëruesit dhe agjërueset. E gjithë kjo duke u nisur nga fjala e Allahut: “Përkujto, se përkujtimi u bën dobi besimtarëve.”

Secili prej nesh duhet ta ketë parasysh se çdo adhurim bazohet në dy rregulla kryesore:

Një: sinqeriteti ndaj Allahut Fuqiplotë, siç thotë në Kuran:
“…andaj ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!” (Ez-Zumer, 2)
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij...” (El-Bejjine, 5)

Dy: pasimi i të Dërguarit alejhi selam, siç thotë Allahu i Lartësuar:
“Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merreni e çka t'ju ndalojë, përmbajuni…” (El-Hashr, 7)
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21)

Këto janë disa nga gabimet që gjenden tek agjëruesit:
- Fatkeqësia më e madhe e muslimanëve tanë është se agjërojnë, mirëpo namazin nuk e falin. Namazi është bërë obligim para agjërimit. Është shtylla kryesore e Islamit.
Ne e dimë se agjërimi është obligim për muslimanin, sikurse është edhe namazi, bile njeriu nëse del nga Islami, del me lënie të namazit. Me të vërtetë parashtrohet pyetja se sa ka mundësi t’i bëjë dobi ky agjërim. Ne nuk jemi duke thënë që muslimani që nuk falet të mos agjërojë, mirëpo pasi është duke agjëruar dhe është duke e respektuar Allahun në këtë ibadet, bile edhe të falet.
Allahu i Madhëruar thotë: “E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo gjë të keqe (ose në Gaja).” (Merjem, 59)

- Shumica e muslimanëve tanë më tepër rëndësi i japin namazit të teravisë sesa namazeve të tjera që i kanë obligim. I Dërguari alejhi selam ka thënë:
“Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: dëshmia se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi (shkuarja në Qabe).” Buhariu dhe Muslimi.

- Disa njerëzve nga dëshira për ta falur namazin e teravisë me imam të caktuar u kalon namazi i jacisë me xhemat ose ndonjë rekat i saj. Kjo është gabim dhe vepër e cila nuk lejohet. Ky njeri merr mëkat nëse e di se me këtë vepër do t’i kalojë namazi i jacisë. Është për t’u habitur fakti se disa njerëz i japin rëndësi më të madhe namazit të teravisë, i cili është sunet, sesa namazit të jacisë, i cili është farz. Ky është mashtrim i shejtanit, sepse në këtë mënyrë bën që muslimani të mbetet larg kësaj vepre të mirë, larg faljes së namazit të jacisë me xhemat. Këtyre njerëzve u themi: Kini frikë Allahun dhe mos toleroni që shejtani t’u mashtrojë.

- Disa njerëz duke marrë abdest shumë pak e shpëlajnë hundën, saqë mund të thuash se aspak nuk e kanë larë hundën. Këtë e bëjnë nga frika se mos i shkon ndonjë pikë uji në fyt.
Mirëpo ata duhet të dinë se shpëlarja e gojës dhe e hundës është prej obligimeve të abdestit. Nëse ndokush nuk i shpëlan këto dy vende, mund të mbetet pa abdest. Agjëruesi që merr abdest duhet ta shpëlajë hundën dhe gojën mirë, mirëpo duke mos e tepruar, ashtu siç ka porositur i Dërguari alejhi selam
: “Merr abdest mirë, laje vendin mes gishtave, shpëlaje hundën mirë, me përjashtim të rastit kur je agjërueshëm.” Hadithi është sahih, transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi.

- Mospërdorimi i misvakut duke menduar se kjo e dëmton agjërimin ose ia pakëson shpërblimin (misvaku është një lloj druri i hollë si një shkop i shkurtër që përdoret për pastrimin e dhëmbëve). Përkundrazi, përdorimi i misvakut është sunet për agjëruesin ashtu siç është sunet edhe për atë që nuk agjëron, qoftë në fillim të ditës ose pasdite. Argument për këtë janë hadithet që flasin për vlerën e përdorimit të misvakut, duke mos bërë dallim mes agjërimit dhe joagjërimit. I Dërguari alejhi selam thotë: “Po të mos i vinte rëndë umetit tim, do ta urdhëroja ta përdorte misvakun në çdo namaz.” Buhariu dhe Muslimi.
“Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.” Hadithi është sahih, Ahmedi dhe Nesaiu.
Shejh Muhamed Salih El-Uthjemini thotë: “Agjëruesit nuk i prishet agjërimi nëse përdor misvak, përkundrazi, përdorimi i misvakut është sunet në çdo kohë, qoftë në fillim ose në fund të ditës.”

- Kur hyn koha e iftarit, disa njerëz vazhdojnë lutjet ose bisedat. Kjo gjë nuk është në përputhje me Sunetin e të Dërguarit alejhi selam. Përkundrazi, muslimani duhet të nxitojë të bëjë iftar që t’u kundërvihet çifutëve dhe të krishterëve. I Dërguari alejhi selam thotë: “Njerëzit do të mbeten në të mira përderisa e nxitojnë iftarin.” Buhariu dhe Muslimi.

- Ngritja e syve në qiell gjatë lutjes në kunut (në namazin e vitrit). Kjo gjë është në kundërshtim me hadithet e të Dërguarit alejhi selam, të cilat tregojnë se njeriu shikimin e tij duhet ta ketë në vendin e sexhdes. Nga ana tjetër, i Dërguari alejhi selam e ka ndaluar të ngrihet shikimi në qiell duke thënë: “Ç’kanë ata njerëz që e ngrenë shikimin në qiell gjatë namazit të tyre?” Aq shumë e qortoi këtë vepër, saqë tha: “Ose nuk do ta bëni këtë vepër, ose Allahu do t’ua marrë shikimin.” Buhariu.

- Fërkimi i fytyrës pas përfundimit të lutjes së imamit në kunut. Fërkimi i fytyrës në këtë pozitë kërkon argument të vërtetë dhe të qartë nga i Dërguari alejhi selam. Mirëpo në këtë rast nuk ka argument të tillë. Kurse shumica e dijetarëve kanë thënë se kjo gjë nuk ka bazë në fe. I kanë thwnw Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë: Një njeri e fërkon fytyrën me duar gjatë lutjes. Është përgjigjur: “Nuk e di se a ka bazë kjo vepër.”
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam dëgjuar argument për këtë vepër. I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Faluni siç më shihni duke u falur.”
“Kush merr abdest siç është urdhëruar dhe kush falet siç është urdhëruar, i falen mëkatet që ka bërë më parë.”

- Muslimani gjatë lutjes së kunutit nuk duhet që pas çdo fjalie të thotë amin, por duhet të dallojë mes fjalive që janë lavdërim për Allahun dhe fjalive që janë lutje drejtuar Allahut. Në rastin e parë duhet të heshtë, kurse në rastin e dytë duhet të thotë “Amin”.

- Një gabim i përhapur me të madhe anembanë botës islame në Ramazan është falja e shpejtë e teravive, një namaz në të cilin nuk plotësohet leximi i Kuranit e as rukuja dhe sexhdeja. Disa e bëjnë me qëllim që të lexojnë sa më tepër Kuran e disa që të falen sa më tepër. Kjo është në kundërshtim me Sunetin e të Dërguarit alejhi selam. Përkundrazi, është obligim që namazi të falet ngadalë dhe secilit rekat t’i jepet haku në lexim, ruku dhe sexhde. Ky është namazi i cili mund të pranohet nga Allahu, përndryshe ai namaz është në dyshim
se a pranohet nga Allahu.

I Dërguari alejhi selam pa një njeri duke u falur shpejt e tha: “Po të vdesë ky njeri në këtë gjendje, nuk do të vdesë sipas miletit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem.” Hadithi është hasen, transmeton Bejhakiu dhe Taberaniu.
Dhe thoshte: “Vjedhësi më i keq është ai që vjedh nga namazi i tij.” Thanë: “O i Dërguar i Allahut, si ka mundësi njeriu që të vjedhë nga namazi i vet?” Tha: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.” Hadithi është sahih, transmeton Taberaniu, Hakimi dhe të tjerët.

Dijetarët kanë thënë se është e urryer që imami të falet shpejt, saqë njerëzit që falen pas tij të mos kenë mundësi t’i plotësojnë edhe sunetet. Atëherë ç’të themi për ata imamë që nuk u mundësojnë njerëzve të plotësojnë edhe farzet?

Imami duhet t’i frikësohet Allahut dhe të falet ngadalë sepse nëse ia qëllon, ai fiton shpërblimin edhe të xhematit e nëse gabon, ai merr gabim, ndërsa xhemati shpërblim. I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka përmendur shumë hadithe ku u tërhiqet vërejtja muslimanëve nga nxitimi në namaz. Imam Mundhiriu në librin e tij, “Et-Tergibu vet-Terhibu”, ka përmendur mbi 30 hadithe që flasin për këtë temë.

- Gabim është edhe zgjatja e tepërt e lutjeve të kunutit. Kjo gjë është e vështirë për muslimanët dhe u shkakton dëme. I Dërguari alejhi selam ka urdhëruar të kihet parasysh gjendja e namazlive duke thënë: “Kur ndokush prej jush u fal namazin njerëzve, le të falet shkurt, sepse pas vetes ka njerëz të dobët, të sëmurë, të vjetër, nevojtarë. E, kur të falet vetë, le ta zgjasë sa të dëshirojë.” Buhariu dhe Muslimi.

- Ngritja e madhe e zërit gjatë lutjes. Kjo është në kundërshtim me Sunetin e të Dërguarit alejhi selam. Allahu i Lartësuar thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (El-A’raf, 55)
Imam Kurtubiu thotë: “Teprimi në lutje ndodh në disa mënyra e njëra prej tyre është bërtitja gjatë lutjes.” Kurse Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ibn Xhurejxhi ka thënë: Është e urryer të ngrihet zëri dhe të bërtitet gjatë lutjes, por urdhërohet besimtari të lutet i mposhtur dhe me butësi.”
Ebu Musa El-Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Ishim duke ecur me të Dërguarin salallahu alejhi ue selem. Kur kalonim luginat, thoshim la ilahe il-lall-llah dhe Allahu Ekber me zë të lartë. Atëherë i Dërguari alejhi selam tha: “O ju njerëz! Mëshironi vetveten, sepse ju nuk jeni duke lutur shurdhin e as një qenie që nuk është e pranishme, por është me ju. Dëgjon dhe është afër.” Transmeton Buhariu.

Disa vërejtje të shkurtra që kanë të bëjnë me agjëruesit dhe agjërueset

• Të bërit natën ditë e ditën natë me pagjumësi gjatë natës dhe fjetje gjatë ditës.
• Të fjeturit në kohët e namazeve farz, sidomos në kohën e namazit të drekës dhe të ikindisë.
• Harxhimi i tepruar në ushqime dhe në llojllojshmërinë e tyre.
• Të humburit e kohës në gjëra të kota dhe të padobishme.
• Syfyri i hershëm dhe fjetja për namaz të sabahut.
• Ngasja e shpejtë e mjeteve të udhëtimit pak para kohës së iftarit.
• Nevrikosja e tepërt gjatë agjërimit, fyerja dhe ofendimi i të tjerëve.
• Mbledhja nëpër çajtore dhe kafene për lojëra dhe fjalë të kota.
• Dëmtimi i agjërimit me gënjeshtra, përgojim, bartje të fjalëve dhe shaka të ndaluara.
• Shfrytëzimi i Ramazanit si rast për fjetje, përtaci dhe moslëvizje.
• Ibadeti në Ramazan dhe mospërfillja e
ibadetit para dhe pas Ramazanit.


 

Përgatiti: Eroll Rexhepi
15.8.2008


Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi pasuesit e tij!

 

Të nderuar vizitorë!

Ju njoftojmë se përkohësisht nuk mund t'u përgjigjemi më pyetjeve të dërguara prej jush.

Ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për letrat tuaja dhe ju kërkojmë ndjesë për pamundësinë  e përgjigjeve.

Vazhdoni të na vizitoni për artikujt e rinj që do të publiklohen në të ardhmen, në dashtë Allahu.

Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin tuaj.

 

Redaksia

Desktop Poster

Posteri
Shiko galerine

Abonohu

Email adresa juaj:
 

Kursi Islam

Sample image
Kursi Islam pėr biznesmenė dhe tregtarė! Ligjėrata nga hoxhallarė eminent.

Dėgjo Kur'an

Sample image
Dėgjo Kur'an me titrim nė Gjuhėn Shqipe.Poashtu mund t'a zgjedhni recituesin.

Pėr ty motėr

Sample image
www.pertymoter.net | Webfaqe islame, ekskluzive pėr gjininė femėrore.

Na shkruani

Sample image
Opinionet ,sygjerimet apo pyetjet tuaja na dėrgoni nė: pyetje@klubikulturor.com



Tė gjitha drejtat e rezervuara. Klubi Kulturor (c) - 2010