I lavd-falënderuar është Allahu i Lartësuar. Ai i cili meriton salavatet dhe selamet është Muhamedi dhe familja e tij.
I nderuari imam i xhamisë!
ESELAMU ALJEKUM VE RAHMETULLAH
(Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ty)
Fillimisht pranoni përshëndetjet tona, lus Allahun e Lartësuar t’ju dhurojë çdo të mirë në të dy botët. Je i respektuar dhe i nderuar si imam dhe prijatar i xhamisë, të kujtojmë çdo herë për të mirë. Ke një zë të bukur kur e lexon Kuranin drejt dhe mirë gjatë namazeve ditore, pa dyshim që ia tërheq vëmendjen edhe xeamatit.
I nderuari imam!
Ke një detyrë shumë të rëndësishme, atëherë ki frikë Allahun me devotshmëri dhe sinqeritet (ihlas) dhe bëhu i kujdesshëm në kryerjen e detyrës, mos u bëj përtac e të tregohesh i papërgjegjshëm.
Xhemati të pret në xhami pesë herë në ditë, atëherë angazhohu që të jesh në nivel të detyrës duke e këshilluar xhematin, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre me dituri, duke e udhëzuar të humburin dhe duk e kujtuar të pavëmendshmin.
Angazhohu që fjalët dhe këshillat e tua të jenë për nivelin e përgjithshëm të xhematit, t'u përgjigjesh me maturi dhe urtësi nevojave të tyre. Njerëzit kanë nevojë për ty dhe për diturinë tënde. Mos harro se ti nuk je vetëm imam që ia fal namazin xhematit dhe me kaq përfundon detyra jote. Pa dyshim që kjo është detyra jote kryesore. Por ti ke edhe detyra të tjera, ato janë edhe më të mëdha se ç' i parafytyron. Para se të jesh imam, je thirrës në rrugën e Allahut të Lartësuar, udhëzues dhe drejtues i njerëzve në përgjithësi.
I nderuari imam!
Krijo klimë besimi në xhaminë ku je duke kryer detyrën, duke u angazhuar që edhe mjetet teknike (si klima, pastërtia, parfumet) të ofrojnë rehati dhe qetësi në xhami, vetëm e vetëm që besimtarët të keni mundësi të kryejnë ibadetet (adhurimet) me qetësi.
Mos harro të zhvillosh kurse në xhaminë tënde për t'ua mësuar leximin Kuranit të gjitha shtresave; fëmijëve, të rinjve, pleqve. Ti je në një pozitë që ta kanë lakmi të tjerët, ti je në listën e njerëzve të zgjedhur ndër më të mirët. Kujto fjalët Muhamedit sal-lallahu alejhi ve selem: “Më i mirë prej juve është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”
Pa dyshim që ti e di se xhamia është shtëpi e Allahut, ku mësohet çdo gjë që ka të bëjë me dynjanë dhe ahiretin. Xhamia ka një funksion shumë të gjerë dhe hapësira e saj duhet të shfrytëzohet. Me një fjalë xhamia ka një mision shumë të madh dhe këtë përgjegjësi e ka imami i xhamisë që t’ia kthejë vlerën xhamisë dhe pozitën e saj ndikuese dhe vepruese.
O imam i xhamisë!
Ki parasysh disa veprime që duhesh të bësh në xhaminë tënde:
- Sinqeriteti dhe besnikëria janë parakushte për të synuar kënaqësinë e Allahut.
- Puno me dituri që të ketë dobi daveti (thirrja) islam.
- Krijo klimë veprimi në xhami, duke qenë i dashur dhe i urtë me xhematin. Jo të kesh natyrë të rëndë dhe urryese, duke i injoruar me fjalë fyese e nënçmuese.
- Bëhu i kujdesshëm në faljen e namazit, mos e zgjat shumë që njerëzit të mërziten, por jo ta bësh namazin vetëm formalisht, me ngut duke mos përjetuar kënaqësinë shpirtërore.
- Kujtoji çdo herë xhematit rregullat e namazit, si duhet të falen, cilat janë farzet, vaxhibet, sunetet e namazit, si duhet të bëhet sexhdeja, rukuja, duke mos u ngutur. Gjithashtu kujdesi për rreshtimin e safave drejt dhe mirë.
- Bëhu i rregullt në xhami, duke i falur të gjitha kohët së bashku me xhematin. Mos mungo në namazin e sabahut. Ti je i vetëdijshëm, po të mos ishe në detyrën e imamit, ti përsëri do ta falësh namazin e sabahut ne xhami.
- Për çdo xhuma përgatitu për ligjëratën në hytbe, kushtoji kujdes fjalimit tënd duke lexuar dhe ofruar muslimanëve këshilla dhe sugjerime të nevojshme dhe të domosdoshme.
- Ki parasysh se xhemati të dëgjon me vëmendje dhe fjalimin tënd e mban mend, por mos lejo që ta përsëritësh disa herë të njëjtën ligjëratë, siç veprojnë disa hoxhallarë. Unë e di se ti nuk je prej atyre.
- Duhet të jesh i përgjegjshëm, detyra jote nuk është thjesht punë në një organizatë ose kompani, por je prijatar (imam) me përgjegjësi në shtëpinë e Allahut të Lartësuar, je punëtor i Allahut të Lartësuar në shtëpinë e Tij.
- Shfrytëzo mundësinë që gjatë ditëve të javës të organizosh kurse e ligjërata. Çdo të premte përgatit ndonjë fletushkë dhe shpërndajua besimtarëve.
Allahu të ruajttë dhe të nderoftë me të mirat e Tij, i nderuari imam! Shpresoj që ti do të jesh njëri prej atyre që ke kuptuar rolin dhe detyrën e imamit në shtëpinë e Allahut të Lartësuar.
Pa dyshim që nuk je prej atyre imamëve që nuk falen në xhami apo falin vetëm dy apo tre namaze; nuk e falin namazin e sabahut me xhemat në xhami; xhaminë e konsiderojnë thjesht vetëm për të marrë një rrogë; në kohën e namazit janë në kafe duke luajtur ndërsa ezani thërret; propagandojnë në xhami për bidate; vazhdimisht i përsërisin hytbet e njëjta vetëm sa për “t’ia bërë adetin”; injorojnë xhematin; nuk ua mësojnë muslimanëve leximin e Kur'anit; flasin para xhematit pa dituri; japin fetva duke e lejuar atë që Allahu e ka bërë haram (të ndaluar). Allahu na ruajttë nga këto veprime!
Në fund të kësaj letre, i kujtoj vetes dhe ty imam i nderuar “ki frikë Allahun e Lartësuar”. Do të japësh llogari për detyrën që ke. Mos e harro llogarinë para Allahut të Lartësuar!
Imam i nderuar, kur të thotë një besimtar “ki frikë Allahun”, mos u ndiej keq, por konsideroje diçka të mirë. Allahu i Lartësuar iu drejtua Muhamedit sal-lallahu alejhi ve selem duke i thënë:
“O i Dërguar! Kije frikë Allahun dhe mos i dëgjo jobesimtarët dhe hipokritët! Me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, Bindju asaj që të është shpallur ty nga Zoti yt, se vërtet, Allahu e di mirë se çfarë bëni! Mbështetu tek Allahu; Allahu të mjafton si mbrojtës! ” (Ahzab: 1-3)
Selamu alejkum ve rahemtullah.
Letërshkruesi: Ulvi Fejzullahu