Shënon Buhariu në koleksionin e tij se Enes Ibën Maliku ka thënë:
Kur arriti i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, në Medine gjatë hixhretit (migrimit), njerëzit filluan të brohorisin e lajmërojnë nëpër qytet se ka ardhur Profeti. Kështu u grumbulluan një numër i madh i banorëve të Medinës që ta presin e shohin atë. Ndërkohë, për këtë lajm dëgjoi edhe Abdullahu, i biri i Selamit,[1] derisa ishte në kopshtin e tij duke punuar. Ai u ngut pak që ta përfundoj punën dhe shkoi te i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ta dëgjoj se çfarë ka për të komunikuar. E dëgjoi mirë se çfarë thotë dhe pastaj shkoi në shtëpinë të tij.
Pasi njerëzit u shpërndanë, Abdullah Selami vjen te i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e pranon Islamin dhe i thotë: “O Muhamed, unë dëshmoj se ti je i dërguar i Zotit dhe ajo me çfarë ke ardhur është e saktë. Ti e di se unë në mesin e popullit tim hebre, jam zotëri e bir i zotëriut dhe jam më i dijshmi dhe biri i më të dijshmit që e kanë respektuar. Pa, thirri njëherë hebrenjtë dhe pyeti ata për mua para se ta kuptojnë se e kam pranuar Islamin, pasi që nëse e kuptojnë këtë, atëherë do të thonë për mua atë që nuk është?”
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i thirri hebrenjtë e Medinës dhe u tha: “O ju hebrenj! Keni frikë Zotin, pasha Allahu që nuk ka adhurues tjetër të denjë përveç Tij, ju e dini saktë se unë me të vërtet jam i dërguar nga Zoti dhe se ajo me çfarë kam ardhur është e saktë, pranojeni Islamin.[2]” Ata refuzuan dhe thanë se nuk e dimë këtë dhe nuk të besojmë. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ua përsëriti këtë tri herë dhe ata gjithmonë përgjigjeshin me të njëjtën përgjigje.
Pastaj i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, u tha: “Në mesin tuaj, Abdullah Selami, çfarë njeriu është?” Ata u përgjigjën me fjalë më të mira për të, se ai është zotëriu ynë, bir i zotëriut dhe më i dijshmi nga ne dhe biri i më të dijshmit prej neve. Atëherë ai u thotë: “Çfarë mendoni nëse ai e pranon Islamin?” Ata u përgjigjën se kjo është e pamundur dhe nuk do të ndodh kurrë. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, thotë: “O biri i Selamit dil para tyre.”. Ai del dhe fillon ti qortoj e këshilloj: “O hebrenj, mjerë për ju keni frikë Zotin se pasha Allahun që nuk ka adhurues tjetër të denjë përveç Tij, ju e dini shumë qartë se ai është i dërguar i Zotit dhe ajo me çfarë ka ardhur është e saktë.” Ata prapë mbetën kryeneç dhe thanë ti je gënjeshtarë dhe i keq.
Shkëputur nga: “Hidajetul Hajara Fi Exhvibetul Jehud Ven Nasara”- Ibën Kajim Xhevzije
Alaudin Abazi
[1] Ishte nga hebrenjtë që banonin në Medinë, ai në mesin e tyre ishte dijetar i njohur dhe shumë i respektuar.
[2] Kjo për faktin se në librat e tyre ishte e paralajmëruar ardhja e të Dërguarit të ri, ata e prisnin atë, mirëpo ata prisnin se ai i Dërguari i ri do të jetë nga mesi i tyre, hebre e jo arab. Prandaj kur kuptuan se i Dërguari që u shpall nuk ishte prej tyre, ata nga kryeneçësia refuzuan ta pranojnë atë dhe ta pasojnë.