Pyetja:
Es-selamu alejkum!
Pyetjet ime është: tek përgjigja që keni dhënë se nëse ena është e ngjyrosur me ar apo argjend dhe sasia është e paktë, lejohet përdorimi i tyre, a vlen kjo edhe për orët e dorës, unazat etj.?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Është më se i njohur ndalimi i bartjes së arit për meshkuj në Jurisprudencën Islame. Me një rast i Dërguari Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e kishte parë një njeri që mbante në dorë unazë ari, ai ia hoqi atë e hodhi në tokë e tha: “A do të guxonte dikush të merrte një gacë zjarri e ta vej në dorën e tij” (shënon Muslimi).
Mirëpo nëse njeriu ka orë dore, apo unazë të ngjyrosur me ari të shkrirë dhe sasia është shumë e vogël, atëherë disa dijetarë kanë konsideruar se kjo nuk është e ndaluar. Këtë mendim e përmbajnë shumica e medhhebit hanefi[1], disa dijetarë hanbeli, ndër ta edhe Shejhul Islami Ibën Tejmije[2].
Dijetarët tjerë e përmbajnë mendimin se kjo është e ndaluar pasi që motivi i ndalimit të bartjes së arit është evident edhe në këtë rast.
Sido që të jetë pa e zgjatur këtë përgjigje duke përcjell argumentet e të dyja palëve themi se mendimi i atyre që lejojnë është mjaft i qëndrueshëm, për faktin se kjo sasi është shumë e vogël dhe nuk ka mundësi që në rast të shkrirjes, të përfitohet sasi ari. Megjithëkëtë që të largohet besimtari nga bartja e gjërave të këtilla do të ishte më e qëlluar, pasi që bartja e orës së ngjyrosur me ari ose i unazës, i bënë njerëzit të paragjykojnë e të mendojnë se bartim ari të vërtetë. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi
[1] “Redul Muhtar”, Vëll.VI, f. 352
[2] “Mexhmul Fetava”, Vëll. XXI, f. 87.