3. Dispozita e shtazës së therur nga jomuslimani
Së pari: Therja e Pasuesve të Librit
Thëniet e Kuranit dhe të hadithit, madje edhe konsensusi (Ixhmai) i dijetarëve aludon se lejohet të hahen kafshët e therurat nga Ithtarët e Librit (Ehlu Kitabi), nga të krishterët dhe çifutët. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e Ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata.”[1] Buhariu thotë, se Ibën Abasi ka thënë, se qëllimi në këtë ajet "ushqimet e Ithtarëve të Librit", është për shtazët që i therin ata. Pastaj vërtetohet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, hëngri nga delja, e cila iu dha dhuratë nga gruaja çifute në Hajber. Gjithashtu dihet se ai në një rast tjetër iu përgjigj ftesës së një çifuti, që të shkonte në shtëpinë e tij në Medinë dhe hëngri një lloj ushqimi që ishte me yndyrë shtaze. Ekzistojnë edhe raste të tjera në të cilat vërtetohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka ngrënë në shtëpitë e Pasuesve të Librit (Ehlu Kitab). Nga këto argumente dhe nga praktika e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem, kuptojmë se therja që bëhet nga të krishterët dhe çifutët është e lejuar ta hajë muslimani.
Së dyti: Therja e idhujtarëve dhe e ateistëve
Në anën tjetër nëse jomuslimani është ateist apo idhujtar, atëherë prerja e tyre është e ndaluar. Argument për këtë është ajeti i lartpërmendur, ku lejon vetëm prerjen e ithtarëve të librit. Gjithashtu mund të argumentojmë me hadithin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur është pyetur, se kush është dispozita për adhuruesit e zjarrit (idhujtarët) ai ka thënë: "Vendosini atyre dispozitën e ithtarëve të librit (për marrjen e xhizjes), përveç ngrënies së mishit të tyre dhe martesës me ta."[2]
4. Goditja e shtazës me pistoletë elektrike para se të theret
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Allahu e bëri detyrim mirësinë në çdo gjë. Kur të vritni, vritni në mënyrë të mirë, kur të therni, therni në mënyrë më të mirë. Mprihe thikën dhe qetësoje kafshën që do ta therësh."[3]
Gjithashtu i Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem e ka ndaluar, që të vritet shtaza duke e gjuajtur për shënjestër (do të thotë pa e therur)[4]. Nga këto hadithe dhe të tjera kuptojmë se therja e shtazës është një veprim gjatë të cilit duhet të kihen kujdes rregullat dhe dispozitat e përcaktuara. Këto rregulla dhe kushte i kemi përmendur më lart. Prandaj gjuajtja me pistoletë elektrike apo ndonjë metodë tjetër me të cilën i humbet vetëdija e shtazës para therjes nuk lejohet dhe besimtarit i ndalohet një praktikë e këtillë.
Është e nevojshme që këtu të përmendim edhe që disa shoqata, të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të kafshëve pretendojnë se therja e shtazës pa ia humbur vetëdijen shkakton mundimin e shtazës. Kjo nuk është e vërtetë, meqë therja e kafshës pasi t’i humbasë vetëdija (kur të goditet me pistoletë elektrike), ndikon në cilësinë e mishit, pasi në këtë rast truri pushon së funksionuari dhe rrahjet e zemrës zvogëlohen tërësisht, dhe kur theret në këtë gjendje, gjaku mbetet në trupin e shtazës.
Dr. Xhon Hanover Larsen, profesor i bakteriologjisë dhe mjek në një nga spitalet e Kopenhagenit në Danimarkë, në një intervistë kur flet për therjen e kafshëve duke i goditur paraprakisht me pistoletë elektrike, theksoi se gjaku është përbërja në të cilën shumohen më shpejt bakteret në të, prandaj mbetja e gjakut në kafshë shkakton rritjen me shumicë të baktereve të rrezikshme në ato mishra. Për këtë ai thekson se gjatë therjes së kafshëve duhet të mos i godasim me gjëra, të cilat ua humbasin vetëdijen paraprakisht, ashtu si është bërë fatkeqësisht shprehi në vendet perëndimore.
Ai gjithashtu u përgjigjet atyre që thonë se forma se si prehet kafsha te muslimanët, pa ia humbur vetëdijen e mundon kafshën. Ai thotë se shkenca ka vërtetuar se shtazës tre sekonda pasi t’i prehen damarët e gjakut, që janë të lidhura me trurin i ndërpritet ndjenja e dhimbjes, kështu që ato lëvizje, të cilat i manifeston kafsha pas prerjes nuk janë se kafsha ndien dhimbje, por janë lëvizje të cilat i manifestojnë pjesët e tjera të organizmit, të cilave ende nuk u është ndërprerë furnizimi me gjak.[5]
Vazhdon...
Alaudin Abazi
[1] Maide, 5.
[2] Shënon Bejhekiu.
[3] Shënon Muslimi.
[4] Shënon Muslimi
[5] http://www.qassimy.com/vb/showthread.php?t=266108