Camilla (Aminah)
Edukatore çerdheje, lindur më 1973, u bë muslimane në vitin 1998, Danimarkë
Unë jam një grua daneze. Kur kujtoj të kaluarën time, mbaj mend që isha një e re që shkoja në diskoteka dhe kërkoja kënaqësitë e jetës me shokët. Thjesht nuk dija se çfarë duhet të bëja dhe çfarë dëshiroja. I lashë prindërit e mi kur isha 17 vjeçe, por u ktheva kur mbusha 18. Pastaj fillova të lexoja për Islamin dhe fillova të mësoja mbi mundësitë dhe resursin jetësor në Islam.
Unë gjeta çdo gjë në Islam. Njeriu aty gjen udhëzimin për tërë jetën, përmirësohet nga dita në ditë. Më parë shoqërimi nuk kishte domethënie të madhe, por tani në Islam shoqërimi me vëllezër e motra ka domethënien e vet të madhe. Konsiderata dhe ndihma ndaj tjetrit është pika e fortë e Islamit.
Në Islam njeriu mendon për të tjerët dhe bën gjithçka për dobi të njerëzve. Unë besoj se kur njeriu beson në Zot, atëherë kjo i duket e lehtë.
Prindërit e mi nuk besojnë aspak në Zot. Nëse beson ndonjë njeri, në sytë e tyre ai duket njeri i marrë. Kur morën vesh se unë kisha pranuar Islamin, u hidhëruan me mua.
Për herë të parë ndieja gëzim për veten time, por merakosesha për reagimin e prindërve. Bisedova me tim atë dhe ai më ndihmoi. Ai e dinte se unë doja të vija mbulesën. Veprimet e mia në Islam unë i bëja shkallë-shkallë. Fillova me mbulesën (hixhabin) dhe me pesë kohët e namazit. Në fillim ata u hutuan plotësisht, por pastaj, kur vërejtën se unë isha e gëzuar, shprehën edhe ata gëzimin e tyre. Në fillim e patën të vështirë të më kuptojnë, por koha bëri të vetën dhe ata ndryshuan mendimin e tyre.
Kur thashë shahadetin (dëshminë islame), fitova një jetë tërësisht të re. Muslimanët më pranuan pa rezerva. Tani çdo gjë ka vlerën e vet, familja, jeta dhe ajo që na rrethon. Tani dua t’i takoj sa më shpesh prindërit e mi. Unë kujdesem shumë më tepër për ta tani. Më parë nuk mendoja thuajse fare për këtë, por tani që u bëra muslimane mendoj shumë për ta dhe kujdesem për mirëqenien e tyre. P.sh., babai im ndonjëherë nuk ka para dhe unë me burrin tim i dërgojmë ushqim. Këtë nuk e kam bërë asnjëherë më parë. Ata e vërejnë që unë jam çdo ditë më e lumtur se më parë. Edhe miqtë e mi e kanë vënë re që jetoj një jetë stabile.
Unë mendoj që nuk është e vështirë të jetosh si musliman në Danimarkë. Unë punoj, kam hixhab dhe ndihem mirë. Më e vështirë është kur e vendos hixhabin dhe thua: “Çfarë do të mendojnë të tjerët? Ata do të më shohin dhe do të thonë fjalë të çuditshme”. Por shumica e njerëzve janë të sjellshëm. Më parë kisha një parafytyrim se Islami është i çuditshëm, por tani e shoh se asgjë në Islam nuk është e çuditshme.
Në Perëndim gruaja e sheh si të nënçmuar gruan që kujdeset për familjen e saj dhe rri në shtëpi. Ato mendojnë se ajo është e marrë dhe e çuditshme. Ajo duhet që patjetër të bëjë atë që bën një burrë. Perëndimi do që gruaja të bëjë më tepër në krahasim me atë që Islami i kërkon asaj, do që ajo të ndihet si një burrë, të shndërrohet në burrë. Kjo bën që në Perëndim gruaja të ketë dy detyrime. Ndërsa në Islam gruaja ndihet shumë më mirë sepse i mundësohet komoditeti i jetës.
Sa i përket shoqërimit me motrat në Islam, kjo më duket gjë shumë e çmueshme pasi del në pah ndihma e ndërsjellë. Nëse dikujt i ndodh diçka në shtëpinë e vet, të tjerët shkojnë dhe e ndihmojnë. Këtë s’e gjen te të tjerët.
Islami më ka dhënë afërsi me shoqet e mia. Më parë gati sa nuk më binin të fikët kur mendoja se po të më ndodhte diçka në shtëpi, nuk do të ndihmonte kush dhe shqetësohesha shumë. Tani ndiej rehati në shpirt. Pesë kohët e namazit më japin qetësi dhe bëjnë që të ndihem e lirë. Nëse jam nervoz, namazi më qetëson. Nëse nuk falem, atëherë s´ndihem mirë, brengosem.
Dëshiroj që edhe familja imë të bëhet muslimane. Sa të bukura janë në Islam marrëdhëniet mes njerëzve, me veten tënde dhe me Zotin!
Unë punoj me fëmijët. Dua që prindërit muslimanë t’u tregojnë fëmijëve për bukurinë e Islamit në çdo sferë të jetës, që të flijojnë pak kohë kushtuar fëmijëve të tyre. Dallimi mes Islamit dhe religjioneve të tjera është se këtu jeton në një sistem që flet për çdo gjë dhe ka të bëjë me të gjitha çështjet jetësore.
Unë isha si prindërit e mi, nuk besoja në asgjë. Por, tani Islami ka domethënie të madhe për mua sepse është gjëja më e rëndësishme në jetën time për mua. Ndihem shumë e sigurt. E di se ku e kam vendin (në atë botë) inshaAllah.
Është kënaqësi të jesh siç thotë Islami dhe të veprosh ashtu si do Zoti. Natyrisht që u gëzova kur u martova dhe u bëra me fëmijë, pastaj kur unë dhe burri im mësonim gjëra të reja në Islam dhe bënim vepra të mira bashkërisht. Dita më e lumtur për mua pasi u bëra muslimane ishte kur mbeta shtatzënë. Duke më kontrolluar, mjeku më tha se diçka jo e natyrshme po ndodhte me foshnjën në barkun tim. Ata më kontrolluan pandërprerë gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, por kurrë nuk arritën ta identifikojnë gjininë e foshnjës. Mjekët më thanë: “Kjo është një mrekulli dhe po qe se lejohet të besojmë në një gjë, atëherë del se dikush ka bërë lutje për këtë fenomen.” Atëherë më ra ndërmend se unë i isha lutur Zotit gjatë gjithë asaj kohe. Kjo është një dëshmi që Ai është me ne dhe i pranoi lutjet e mia.
Kur´ani është libri im, ku unë gjej përgjigjen për çdo gjë që më mundon. E lexoj atë pas namazit të sabahut. Surja që më pëlqen më shumë është Al-Kafirun [109]. Unë e dua Islamin sepse është fe perfekte dhe nuk ia vlen të bësh kompromis me të tjerët në dëm të kësaj feje. Një gjë është e qartë: kjo është rruga e vetme.
Ajo që më ka lënë pa fjalë në Islam është raporti mes burrit e gruas. Unë kisha informacion të gabuar nga një i afërm rreth kësaj dhe ia kisha frikën bashkëshortësisë në Islam. Tani jam shumë e lumtur që babai im e kish gabim sa i përket Islamit. Relacioni burrë-grua, të qenët prindër dhe roli i burrit janë krejt në rregull.
Fakti që Islami e ndalon alkoolin është diçka e shkëlqyer sepse alkooli e prish familjen. Është vështirë kur njeriu harron Zotin dhe bën diçka të shëmtuar. Por kur ti e pason Islamin, atëherë është e lehtë. Në raste hidhërimi, bashkëshortët duhet ta dëgjojnë njëri-tjetrin. Profeti Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte njeriu më perfekt, nëse mund të cilësohet dikush kështu. Unë ndiej respekt të lartë ndaj Profetit Muhamed alejhi selam dhe Aishes.
Atyre që duan të lexojnë u rekomandoj librin e një amerikani me emrin Jeffrey Lang. Ai u bë musliman dhe ky libër është një autobiografi dhe titullohet në anglisht ”My struggle to overcome”.
Këshillë fëmijëve të mi: Ta keni Islamin në zemër dhe të veproni atë që Zoti do dhe kujtoni Zotin dhe urdhrat e Tij.
Atyre që kërkojnë kuptimin e jetës: Ju këshilloj të vini në xhami e t’i pyesni muslimanët. Fillimisht kuptohet se do të ishte e vështirë shkuarja në xhami, por aty mësohet realiteti. Nuk mjafton vetëm leximi mbi Islamin, por u duhen parashtruar edhe pyetje muslimanëve.
Muslimanëve që nuk praktikojnë Islamin: Kur largoheni nga Islami, atëherë e keni të vështirë të mbaheni me të. Ndoshta nuk dini asgjë rreth fesë apo keni shoqëri të keqe, por më mirë për ju është që nga dita në ditë të vini nëpër xhami se kështu bëhet mirë për ju.
Atyre që janë praktikues të Islamit: Ia vlen të punojmë së bashku si një UMET. Unë mendoj se ardhmëria i takon Islamit. Rinia po i kthehet Islamit dhe po e forcon imanin. Muslimanët duhet të punojnë së bashku dhe jo të kundërshtohen mes tyre. Pastaj ne duhet të sillemi mirë me të tjerët (jomuslimanët) dhe të tregojmë Islamin e vërtetë.
Unë ndihem krenare që jam bërë muslimane. Me Islam u bëra e fortë, nuk ndihem aspak keq, edhe pse njerëzit thonë gjithçka. Islami është fe kuptimplotë dhe krenohem me të. Shtetet që i përkasin Islamit nuk tregojnë fenë islame, madje i japin pamje të keqe Islamit. Shtetet islame dhe muslimanët duhet ta studiojnë që prej themelit Islamin sepse thuajse gjithçka është gabim tek ata. Shkurt, s´ka asgjë të përbashkët me Islamin. Ata duhet të kenë frikë Allahun!
Përktheu dhe përshtati: Sabit Mulaku