Është i njohur në fushën e vendimeve gjyqësore fakti se gjykatësi nuk mund të nxjerrë një vendim të drejtë mbi alët, vetëm pasi të jetë njohur me rrethanat e ngjarjes. E njëjta gjë thuhet edhe në fushën e sjelljes së vendimeve fetare (fetvave) dhe myftiun, ngase myftiu i shkathët dhe mendjemprehtë nuk jep gjykim fetar për një çështje që i paraqitet vetëm pasi të mësojë natyrën e kërkuesit të fetvasë, natyrën e fetvasë, kohën dhe vendin në të cilin gjendet kërkuesi i fetvasë dhe këtë fakt nuk mund ta mohojë askush.
Ajo që thuhet në këto dy fusha, thuhet edhe në fushën e komentimit të Kuranit. Komentues i vërtetë i Kuranit konsiderohet ai që ka njohuri mbi shkaqet e zbritjes së ajeteve si dhe rrethanat që i kanë shoqëruar ato.
Duke u bazuar mbi këtë rregull të rëndësishëm në fushën e komentimit të Kuranit, me këtë rast do të ndalemi te fjala e Allahut të Lartësuar ku thotë: "E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh. (Bekare, 114), me qëllim që t'i shohim shkaqet për të cilat është zbritur ky ajet kuranor.
Komentuesit e Kuranit, përsa i përket atyre që pengojnë xhamitë dhe përpiqen për shkatërrimin e tyre, se kush janë kanë përmendur dy mendime:
Një: Ata janë të krishterët, të cilët hidhnin pengesa në Bejt el Makdis dhe i pengonin njerëzit të faleshin në të. Ky qëndrim është përcjellë nga Ibn Abasi dhe Muxhahidi, Allahu i mëshiroftë. Abdurrezaku transmeton nga Katade, i cili thotë se bëhet fjalë për mbretin Nebuchadnezzar dhe shokët e tij, i cili e shkatërroi Jerusalemin dhe e ndihmuan edhe të krishterët. Shkurtimisht, sipas këtij transmetimi qortimi i përmendur në ajet ka për qëllim të krishterët që i penguan njerëzit nga adhurimi në Jerusalem.
Dy: Transmeton Taberiu nga ibn Zejd, i cili thotë: "Ata janë idhujtarë, të cilët e penguan të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ditën e Hudejbisë që të mos hynte në Mekë, derisa i Dërguari u detyrua të therte kafshën e tij në vendin e quajtur Dhu Tuva, bëri marrëveshje me ta dhe tha: "Askush nuk dëbonte nga kjo shtëpi, njeriu e takonte vrasësin e babait apo të vëllait të tij e nuk e dëbonte". Ata thanë: "Përderisa jemi ne nuk do të hyjë në këtë shtëpi ai që i ka vrarë baballarët tanë në Bedër".
Gjithashtu është përcjellë nga Ibn Abasi se kurejshitët e penguan të Dërguarin e Allahut të falej në Qabe në Shtëpinë e Shenjtë, e Allahu zbriti fjalën e tij: "E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet)". Sipas këtij transmetimi nënkuptohet se ata që e penguan të Dërguarin e Allahut nga hyrja në Qaben e Shenjtë dhe e dëbuan atë janë idhujtarët. Përgjithësisht, këto janë shkaqet e zbritjes së këtij ajeti që i përmendin komentuesit e Kuranit. Taberiu, Allahu e mëshiroftë, e përzgjedh mendimin e parë, ku thotë: "Shpjegimi më i drejtë i ajetit është shpjegimi i atyre që thonë se qëllimi i fjalës së Allahut të Lartësuar: "E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet)", janë të krishterët. Lidhur me përzgjedhjen e tij për këtë qëndrim argumentohet duke thënë se idhujtarët nuk e kanë shkatërruar Shtëpinë e Shenjtë (Qaben), por kjo ka ndodhur nga të krishterët dhe çifutët, të cilët e kanë shkatërruar Bejt el Makdisin. Gjithashtu, ai argumentohet duke thënë se biseda para dhe pas këtij ajeti është për të krishterët dhe çifutët e nuk përmendet Shtëpia e Shenjtë, prandaj më e drejtë është të thuhet se shkaku i zbritjes është i ndërlidhur me bisedën para dhe pas ajetit.
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, anon se ajeti ka zbritur lidhur me idhujtarët e Mekës. Ai argumentohet duke thënë se tematika e ajeteve paraprake të këtij ajeti është qortimi i të krishterëve dhe i çifutëve, ku pas tyre Allahu i Lartësuar i qorton edhe idhujtarët e Mekës. Ai i kundërpërgjigjet argumentimit të Taberiut duke thënë: "Çfarë shkatërrimi ka më të madh sesa ajo që kanë bërë? E nxorën të Dërguarin e Allahut nga Meka, e pushtuan atë me idhuj, zotat dhe shirkun e tyre."
I këtij mendimi është edhe dijetari ibn Ashuri, i cili nuk pajtohet me Taberiun në përzgjedhjen e tij, por thotë se konteksti i ajeteve e fuqizon qëndrimin se ajetet kanë zbritur për idhujtarët e Mekës për faktin se Allahu i Lartësuar pasi i demaskoi synimet e ithtarëve të Librit kundrejt fesë islame dhe muslimanëve dhe sqaroi se kjo është natyra dhe zakoni i tyre me çdo kë që i kundërshton teket e tyre. Allahu i Madhërishëm sinjalizon se idhujtarët u ngjasojnë në këtë duke thënë: "Ata që mohojnë, si Ithtarët e Librit, ashtu edhe paganët, nuk dëshirojnë që t'ju zbresë ndonjë e mirë nga Zoti juaj." (Bekare, 105)
Allahu i Lartësuar pasi i demaskoi qëllimet e ithtarëve të Librit vazhdoi duke sqaruar urrejtjen e idhujtarëve nga zbritja e Kuranit, andaj ata penguan xhamitë e Allahut, mbyllën rrugën e udhëzimit dhe i penguan njerëzit nga vizita e shtëpisë së Allahut.
Fakti që e mbështet qëndrimin e Ibn Kethirit, ibn Ashurit lidhur me shkakun e zbritjes së këtij ajeti është edhe fjala e Allahut të Madhërishëm: "E përse të mos i dënojë Allahu, kur ata e pengojnë vizitën në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe)" (Enfal, 34). Gjithashtu, fjala e Tij: "Jobesimtarët ju penguan ti afroheni Xhamisë së Shenjtë" (Feth, 25). Këto dy ajete argumentojnë se dëbimi dhe pengimi nga Xhamia e Shenjtë ka qenë nga idhujtarët arab.
Fakti që ky ajet ka zbritur për idhujtarët arab, nuk nënkupton se nuk i përfshin të tjerët të cilët pengojnë nga përmendja e Allahut, i pengojnë njerëzit nga zbatimi i asaj që ka urdhëruar Allahu. Qortimi në ajet përfshin të gjithë ata që pengojnë të adhurohet Allahu në xhamitë e Tij. Në ajet është përmendur fjala xhami në trajtën e shumësit për të na dhënë të kuptojmë se pengimi nuk është i kufizuar vetëm në Xhaminë e Shenjtë (Qabe), por përfshin çdokënd që i pengon njerëzit dhe i largon nga adhurimi i Allahut në çdo xhami në sipërfaqen e Tokës. Pa dyshim se ky është një krim i rëndë, vepruesi i të cilit meriton dënimin e kësaj bote para dënimit të botës tjetër.
Nëse e kuptojmë këtë dispozitë të nxjerrë nga ky ajet, atëherë na bëhet i qartë fundi i komunistëve të cilët shkatërruan mijëra xhami në shumë vende të botës e edhe në vendin tonë. Mësojmë fundin edhe të çifutëve, të cilët i pengojnë njerëzit dhe i dëbojnë nga Xhamia e Aksasë, rrethinën e së cilës e ka bekuar Allahu. Gjithashtu, mësojmë edhe fundin e atyre që i pengojnë muslimanët në vendet islame nga adhurimi nëpër xhamitë e Allahut.
Përgatiti: Almedin Ejupi