Këshilla e dytë
• Ndalimi i burrave dhe grave në vizita të përziera
Burri është njeri që e do shoqërimin dhe është i shoqërueshëm. Ai ka nevojë për shokë, shoqëri dhe për vizita të ndërsjella.
Kur ka vizita në familje, ne duhet t’ia bllokojmë rrugët djallit duke mos u përzier mes vete. Një nga ajetet që flasin për këtë çështje është ajeti i Kuranit : “... E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre.” (El-Ahzab: 53)
Nëse shikojmë dëmet që mund të sjellë kjo përzierje mes burrave dhe grave në vizitat familjare vërejmë shumë gjëra të papëlqyera në fe që mund të ndodhin në këto raste, si për shembull:
1. Hixhabi (manteli) i gruas, në shumicën e rasteve është i papërshtatshëm, gjë që gruaja, në raste shërbimi mund të zbulojë diçka nga bukuritë e saj e që janë të ndaluara të duken në prani të të huajve. Për këtë kemi ajetin kuranor, ku Allahu thotë:
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim” Nur 31
2. Kur burri shikon një grua në këto tubime të përziera, kjo mund të çojë deri në prishjen e moralit të tij dhe provokimit të dëshirave të tij të ndaluara nga Islami.
3. Burri dhe gruaja mund të grinden me njëri-tjetrin në mënyre shumë të ashpër, siç ndodh kur burri i flet një gruaje tjetër (të pranishme në festë) ose i bënë me sy ose bën shaka dhe qesh shumë ose anasjelltas, gruaja të jetë ajo që vepron kështu me një mashkull tjetër. Rrugës, me t’u kthyer në shtëpi fillon grindja:
Burri: “Pse qeshe në atë mënyrë me filanin kur ai nuk tha asgjë për të qeshur?”
Gruaja: “E pse ti qeshe dhe ia bëre me sy filanes?”
Burri: “Kur filani tha diçka ti menjëherë e kuptove, ndërsa kur unë të flas diçka ti nuk kupton fare!”
Kështu, ata vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin dhe kjo shpie deri te një armiqësi e madhe dhe në fund edhe në ndarje.
4. Disa mund të pendohen që janë martuar me njëri-tjetrin duke u krahasuar me gratë dhe burrat e shokëve të tyre. Mendime të ndryshme kaplojnë mendjet e tyre siç ka raste kur burri mund të thotë: “...shih se sa e mençur që është ajo, ndërsa gruaja ime është tejet injorante. Ajo ka një edukatë të lartë, ndërsa gruaja ime flet pa edukatë fare”. Në anën tjetër, gruaja mund të thotë: “shikoje atë sa i zgjuar dhe elokuent që është, ndërsa burri im është shumë i mërzitshëm dhe flet pa menduar fare”. Kjo situatë shpie deri në prishje të martesës dhe trajtim të keq martesor.
5. Disa njerëz mundohen të tregojnë veten të aftë apo të mburren me diçka që nuk e posedojnë në personalitetin e tyre. Ka raste ku burri mundohet ta tregojë veten sundimtar ndaj gruas, si njeri me personalitet të fortë në prani të të tjerëve, mirëpo e vërteta është se kur ai vetmohet me gruan e tij bëhet si një mace e butë. Në anën tjetër, gruaja huazon stoli ari nga gratë e tjera vetëm e vetëm që të duket që ka pasuri ne sy të tjerëve. Në lidhje me këtë situatë, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Ai që krijon përshtypje të pasakta se i është dhënë diçka që në fakt nuk i është dhënë i ngjason atij që vesh rrobën e gënjeshtrës.” (Shënon Buhariu el fet’h 9/317)
6. Këto përzierje nëpër tubime të ndryshme në orët e vona të natës shpijnë në humbje të kohës, në mëkate që bëhen me gjuhë, etj. Një gabim tjetër i madh është që prindërit i lejojnë të qëndrojnë fëmijët e tyre vetëm në shtëpi, në mënyrë që të mos u prishet atmosfera nga të qarët e fëmijëve.
7. Këto organizime ahengjesh rezultojnë edhe në gjynahe të mëdha, siç janë pirja e alkoolit, lojëra kumari, imitimi i jobesimtarëve me sjelljet dhe veshjet e tyre, etj. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë në një hadith: “Kush e imiton një popull, ai është prej tyre.” (Shënon imam Ahmedi në Musnedin e tij 2/50 sahih el xhami’ 2828, 6025).
Vazhdon...
Shejh Muhammed Salih el Munexhid
Përktheu dhe përshtati nga anglishtja: Toska Belegu