Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Lavdërimi i qoftë Allahut. Atë e Lavdërojmë dhe vetëm nga Ai ndihmë dhe falje kërkojmë.
Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej së keqes sonë dhe së keqes së veprave tona.
Kë e udhëzon Allahu, nuk ka kush e devijon dhe kë e lë Allahu të humbur, nuk ka kush mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka Zot që meriton të adhurohet me të drejtë, përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.
Rregullimi i gjërave në shtëpi është një përgjegjësi e madhe, së cilës çdo musliman (besimtar), qoftë mashkull apo femër, duhet t’i përmbahet ashtu siç Allahu urdhëron “Ata duhet të mbajnë shtëpitë e tyre me rregulla që janë në përputhshmëri me ligjet e Allahut.”
Një nga mënyrat e rregullimit është që t’i largojmë gjërat e liga nga shtëpitë tona. Në vazhdim do të flasim rreth disa gjërave të liga ë cilat aktualisht ndodhen në shtëpitë tona dhe po bëhen mjete të shkatërrimit të vendit tonë, ku gjenerata të reja të umetit islam po rriten e zhvillohen.
Shkurtimisht, kjo fletushkë thekson disa gjëra të dëmshme duke treguar veprat që janë të ndaluara (haram) për t’u bërë dhe për të cilat është më se e nevojshme të kemi dijeni.
Është detyrë e çdo kërkuesi të së vërtetës që të ndryshojë metodat e jetës së tij në mënyrë që ai ose ajo të respektojë urdhrin e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të: “Kush sheh një vepër të keqe, le ta largojë atë me dorën e tij, e nëse jo me dorë, atëherë le të mundohet me gjuhën e tij, e nëse as këtë nuk mund ta bëjë, atëherë atë vepër le ta urrejë me zemër. Kjo është shkalla më e ulët e besimit.” (Shënon Muslimi 1/69)
Më tutje do të zgjerojmë temën tonë të diskutimit rreth gjërave të liga që duhet të jenë të ndaluara në shtëpinë e një muslimani/e, siç e cekëm më lart.
Kërkoj nga Allahu, më Bujari, Zot i fronit mbretëror, që kjo broshurë t’ju ndihmojë dhe t’u bëjë dobi vëllezërve të mi dhe motrave muslimane.
Vetëm Allahu është Ai që udhëzon në rrugë të drejtë.
Këshilla e parë:
• Kujdes nga lejimi i hyrjes në shtëpi të njerëzve jo mahrem, kur gruaja është vetëm, pa prezencën e burrit të saj.
Të kemi kujdes që të mos i lejojmë njerëzit të cilët nuk janë mahrem të gruas që të hyjnë në shtëpi kur burri i saj nuk ndodhet aty. Disa shtëpi nuk janë të lira nga prezenca e të afërmve të burrit, të cilët nuk janë mahrem të gruas së tij dhe të cilëve u duhet të jetojnë me ta për ndonjë arsye sociale. Një person i tillë mund të jetë vëllai i burrit, i cili ose është student ose i pamartuar. Këta të afërm hyjnë në shtëpi në mënyre shume të lirë, sepse janë të njohur nga fqinjët si të afërm të familjes, qoftë ai vëllai i burrit, nipi, daja apo xhaxhai.
Ky qëndrim i lirë rreth kësaj situate mund të sjellë me vete shumë gjëra të dëmshme (mëkate), të cilat shkaktojnë zemërimin e Allahut nëse nuk kontrollohen ashtu siç duhet dhe nuk janë të përcaktuara në bazë të limiteve të kufizuara nga ana e Allahut subhanehu ve teala.
Lidhur me këtë çështje, kemi hadithin e Pejgamberit alejhi selam: “Kini kujdes kur të hyni në mesin e grave.” Një ensar tha: ”O i Dërguar i Allahut, ç’mendon për vëllanë e burrit (kunatin)?” Ai tha: “Ai është si vdekja.” (Shënon Buhariu, Fet’hul Bari 9/330)
Ky hadith i referohet vëllait të burrit, nipit, dajës, xhaxhait, kushëririt dhe të tjerëve me të cilët i lejohet martesa gruas, nëse ajo është ende e pamartuar. Zakonisht, njerëzit i marrin të thjeshta çështjet e familjarëve. Arsyeja pse vëllai i burrit është krahasuar me vdekjen është për shkak të lirisë që ndien, mirëpo, përkundrazi, ai duhet të ketë kujdes nga të vetmuarit me gruan e shtëpisë më shumë sesa një i huaj. Vëllai i burrit është krahasuar me vdekjen dhe kjo vetmi është më e rrezikshme sesa vetmia me një të huaj. (Fet’hul Bari , 9/331).
Thënia “vëllai i burrit” ka një numër të gjerë kuptimesh:
1. Vetmia me vëllanë e burrin mund të çojë deri te shkatërrimi i zemrës nëse veprohet një mëkat.
2. Vetmia mund të çojë deri në vdekje nëse ajo bën një veprim amoral, ku dihet se dënimi i saj është me gurëzim deri në vdekje.
3. Ajo mund t’ia shkatërrojë jetën nëse burri i saj e divorcon për shkak të xhelozisë.
4. Të ketë kujdes të mos vetmohet me njerëz jo mahrem ashtu siç ka kujdes për vdekjen.
5. Të ketë kujdes të mos vetmohet me njerëz jo mahrem se kjo vepër është më e rëndë se vdekja.
Të gjitha këto pika që u cekën më lart, Islami i trajton si brenga të mëdha, në mënyrë që t’i evitojmë rreziqet e tilla shkatërruese në familjet tona.
Pasi e kuptuam se çfarë ka thënë i Dërguari i Allahut në lidhje me këtë çështje, çfarë mendoni tani për ata burra që u thonë grave të veta: “...nëse vëllai im vjen e unë nuk jam në shtëpi, lëre atë të hyjë në dhomën e pritjes”, ose ajo grua që nëse i vjen një musafir i thotë “hyr në dhomën e pritjes”, duke pasur parasysh se askush tjetër nuk ndodhet në shtëpi?
Ata që mendojnë se rastet e tyre përjashtohen duke thënë “Unë i besoj gruas sime, vëllait tim, kushëririt tim...”, ne ju themi se nuk ka asgjë të keqe që t’i besosh gruas tënde, vëllait, kushëririt etj., dhe as që duhet të shkojë mendja të dyshosh në diçka të tillë, mirëpo duhet të kemi parasysh hadithin e të Dërguarit të Allahut , i cili thotë: “Nuk vetmohet një mashkull me një femër vetëm se i treti është shejtani.” (Shënon Tirmidhiu 1171)
Ky hadith, pra, është i dedikuar për njerëzit më fetarë, më të moralshëm e deri tek ata që kanë moral të prishur apo janë të degjeneruar. Islami nuk përjashton askënd nga ligjet e tij.
Vazhdon...
Sheikh Muhammed Salih el Munexhid
Përktheu dhe përshtati nga anglishtja: Toska Belegu