Transmetohet nga Abdullah b. Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: "Kur ta dëgjosh Allahun të thotë: "O besimtarë" kushtoji kujdes, o është urdhër me të cilin urdhërohesh o është ndalesë nga e cila ndalohesh."
Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar. E si mund të mos besoni kur juve ju lexohen shpalljet e Allahut dhe midis jush ndodhet i Dërguari i Tij?! Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë.” (Ali Imran, 100-101)
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë. Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirës, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit. Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Ali Imran, 102-105)
“O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit), nëse jeni njerëz që kuptoni.” (Ali Imran, 118)
“O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut). Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? - dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!” (Ali Imran, 130-136)
“O besimtarë! Nëse u bindeni jobesimtarëve, ata do t’ju kthejnë prapa (në të pafe) e ju do të jeni të humbur. Por, Allahu është Mbrojtësi juaj dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.” (Ali Imran, 149-150)
“O besimtarë! Mos bëni si ata jobesimtarë (hipokritët) që u thoshin vëllezërve, kur këta niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, as nuk do të vdisnit, as nuk do të vriteshit” - që këtë Allahu ta kthejë si pikëllim në zemrat e tyre. Allahu është Ai që jep jetën dhe sjell vdekjen; Allahu i sheh të gjitha punët që bëni ju. Edhe nëse ju vriteni ose vdisni në udhë të Allahut, falja dhe mëshira e Allahut, me të vërtetë, janë më të mira nga ato që kanë grumbulluar ata.” (Ali Imran, 156-157)
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Ali Imran, 200)
“O besimtarë! - nuk ju lejohet të bëheni përdhunisht trashëgimtarë të grave dhe mos i pengoni ato me qëllim që t’ua merrni një pjesë nga dhuratat që ua keni dhënë, përveç nëse bëjnë gabime sheshazi. Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira. Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t’ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë? Mos i merrni ato gra që kanë qenë gratë e baballarëve tuaj, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Vërtet, kjo është vepër e keqe dhe rrugë e shëmtuar.” (Nisa, 19-22)
“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.” (Nisa, 29-30)
“O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni; as kur jeni të papastër (xhynyb) – përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni. Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” (Nisa, 43)
“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit67, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa, 59)
“O besimtarë! Bëhuni syçelë (kundër armikut) e luftojeni atë, qoftë grupe-grupe ose të gjithë së bashku! Në të vërtetë, disa prej jush ngurrojnë për të shkuar në luftë. Nëse ju ndodh ndonjë fatkeqësi, ndonjëri thotë: “Vetë Allahu më ka shpërblyer mua për të mos u gjendur i pranishëm me ta”.E nëse ju arrin ndonjë e mirë nga Allahu, ai atëherë, me siguri thotë – a thua se nuk ka midis tij dhe jush dashamirësi -: “Ah, sikur të kisha qenë me ata e të arrija sukses të madh!” Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që nuk e kursejnë jetën e kësaj bote për jetën e ardhshme. Atij që lufton në rrugën e Allahut, e vritet ose fiton, Ne, me siguri, do t’i japim shpërblim të madh.” (Nisa, 71-74)
“O besimtarë! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar”, me qëllim që të fitoni kënaqësi të kësaj jete, ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta. Të tillë keni qenë edhe ju më parë e Allahu ju dha mirësi; prandaj gjithmonë sqarojini mirë të gjitha punët! Se Allahu është Njohës i veprave tuaja.” (Nisa, 94)
“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.” (Nisa, 135)
“O besimtarë! Mos i zgjidhni mohuesit për miq - në vend të besimtarëve! A mos vallë doni t’i jepni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?” (Nisa, 145)
Përmblodhi: Almedin Ejupi