Vėllazėria e katėrfishtė
06.01.2010 10:09:49

Vëllazëria mes njerëzve ndahet së paku në katër kategori. Ajo më e përgjithshmja e tejkalon çdo barrierë që mund t’i paraqitet, si feja, kombi, gjuha, raca apo ndonjë dallim tjetër. Madje në këtë kontekst, vëllazëria e tejkalon edhe gjininë.

Kalimi nga shkalla më e ulët e vëllazërisë – e qenies, tek më e larta – e gjakut, farefisit, përfaqëson një proces të ngritjes së kohezionit vëllazëror. Kategoria e parë është vëllazëria më e gjeneralizuar e mundshme, por njëkohësisht edhe më e përçara, e ndara, johumania, e nënçmuara, e përçmuara. Mbase pikërisht gjeneralizimi i kontribuon zbehjes së kohezionit vëllazëror.

Me të drejtë mund të pyesë çdo njeri: “Ç’është me këtë lloj vëllazërie e cila njëkohësisht na qenka më e përgjithshmja dhe më e përçara?! Është vëllazëria e qenies!

Vëllazëria e qenies në kohët më të hershme ishte më sublimja, e larta, ndërsa sot është e nivelit më të ulët. Ishte ashtu, atëherë, sepse ky tip vëllazërie në fillesat e saj përbënte vëllazërinë e katërfishtë njëkohësisht. Pjesëtarët e atij komuniteti ishin vëllezër për nga qenia, feja, etnia-kombi dhe gjaku-farefisi. Ndërkaq, nga momenti kur popullsia fillon të shënojë ngritje, duke u manifestuar me ndarje të familjeve bërthamë, krijimin e fiseve, ngjizjen e feve joprofetike, diversitet kulturash, krijimin e kombeve, rrethana të caktuara ekonomike, politike e ideologjike – ky tip vëllazërie nis të degradohet gradualisht, duke e humbur përfundimisht efektin që kishte. Shmangiet e ndarjet janë pritur, por jo deri në këtë shkallëzim që ka marrë përmasa tejet shqetësuese.

Etapë pas etape duke filluar nga e përgjithshmja, vëllazëria vjen duke e shtuar kohezionin, humanitetin, afërsinë dhe solidaritetin.

 

Klasifikimi i kategorive të vëllazërisë do të bëhet duke u bazuar e filluar nga parimi i shumicës, për të vazhduar tutje.

 

1. Vëllazëria e qenies

 

Kategoria e parë është vëllazëria e qenies, që do të thotë se të gjithë njerëzit janë vëllezër pa asnjë dallim të vetëm.

Pasi njeriu është i përbërë nga shpirti e trupi dhe të gjithë njerëzit tjerë janë të së njëjtës trajtë, të gjithë ata duhet të konsiderohen vëllezër për nga qenia.

Në këtë kategori, të gjithë njerëzit janë vëllezër, pa dallim feje, kombi, race, moshe apo dallim tjetër. Përcaktues i këtij tipi vëllazëror nuk ishte njeriu, por një qenie tjetër mbi të - Zoti. Zoti ka përcaktuar se njeriu duhet të përbëhet nga shpirti dhe trupi e që mendja do të jetë elementi kyç që do ta dallojë nga qeniet tjera materiale. Megjithatë, duhet të kujtohet se kjo kategori është më e zbehta nga gjithë të tjerat.

 

Po të vlerësohej ky tip vëllazërie, paragjykimet, stereotipet, diskriminimet, konfliktet e luftërat, pa dyshim se do të ishin minore. Ndërsa nga çasti kur njeriu e mbivlerëson dhe i jep vetvetes atribute superiore në raport me të tjerët, fillon urrejtja për ata, me ç’rast bie efekti i vëllazërisë së qenies, që rezulton me përhapjen e racizmit, i cili vjen si pasojë e paragjykimit e përgjithësimit dhe manifestohet me diskriminim e shtypje.

 

2. Vëllazëria fetare

Kategoria e dytë është vëllazëria për nga feja. Kalimi nga vëllazëria e qenies, tek ajo e fesë shënon një ngritje vëllazërore, megjithëse ende të një niveli jo të lartë. Këtë e pamundësojnë nacionalizmi e ideologjia.

Në këtë kategori vëllezërish, që të gjithë pjesëtarët e një feje të caktuar, janë vëllezër për nga ajo fe të cilës i përkasin, pavarësisht kombit, racës, ideologjisë, rrymave politike etj. Një shqiptar musliman është vëlla për nga feja me një arab apo turk musliman. Siç është edhe një shqiptar katolik vëlla i një katoliku amerikan apo gjermani katolik. Në këtë kategori thyhen kufijtë nacionalë-kombëtarë. Vëllazëria i tejkalon kornizat kombëtare, por, sigurisht jo në të gjitha rastet, kushtet e rrethanat.

 

3. Vëllazëria kombëtare

 

Kategoria e tretë, ka të bëjë me vëllazërinë kombëtare, e cila zhvillohet mes pjesëtarëve të një kombi pa dallim feje a krahine. Të gjithë pjesëtarët e një etnie-kombi me përkatësi të ndryshme konfesionale, krahinore e rajonale janë vëllezër për nga kombi. I bazuar në etninë, gjuhën dhe kulturën e përbashkët – kombi është një bashkësi e vetëdijshme kulturore historike.

Që të gjithë shqiptarët muslimanë janë vëllezër për nga kombi me shqiptarët katolikë, ortodoks apo protestant. Kurrsesi nuk duhet të lejohet që feja të bëhet pengesë për vëllazërinë kombëtare e as anasjelltas.

Ndërsa tek feja, nacionalizmi dhe ideologjia ishin pengesë për kohezionin vëllazëror, tek vëllazëria kombëtare ngjan e kundërta, feja, apo më saktë interpretimi i drejtpërdrejtë i saj, bëhet pengesë. Sidoqoftë në të dyja rastet, feja dhe kombi nuk janë pengesë e patejkalueshme për njëra-tjetrën. E as nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, siç mund të mendojë dikush.

Përkundrazi, feja dhe kombi janë dy anë të së njëjtës medalje, të pandashme dhe plotësuese për njëra-tjetrën.

 

Pyetjes së një shqiptari nacionalist drejtuar një shqiptari religjioz, se a jeni shqiptar apo musliman ose katolik, duhet t’i përgjigjemi duke shtruar pyetje: Ju vëlla, jeni (ta zëmë) 20 vjeçar apo jeni mashkull? Një person domosdoshmërisht e ka një moshë dhe gjini të caktuar. Ndërsa mosha dhe gjinia janë dy komponentë të domosdoshme që e përbëjnë njeriun, feja dhe kombi shërbejnë si dy entitete që e formësojnë personalitetin dhe karakterin e tij.
Prandaj, pyetja se a jeni shqiptar apo musliman, katolik, ortodoks është ekuivalente me pyetjen se a i keni 20 vjet apo i përkisni gjinisë mashkullore!

Ndërkohë, derisa një nacionalist mund të propozojë shuarjen e feve, me pretekstin se ato mund të jenë pengesë për kohezionin vëllazëror të kombeve, një religjioz, në anën tjetër, mund të propozojë shembjen e kombeve, me pretekstin se ato janë pengesë për ta realizuar vëllazërinë fetare. Këtu domosdo duhet të nxirret sinteza hegeliane.

 

Kalimin nga vëllazëria e fesë tek ajo e kombit, Platoni mbase do ta quante lëvizje nga bota e dukshme në atë të kuptueshme. Megjithëse në këtë rast, jo domosdoshmërisht është kështu.

 

4. Vëllazëria e gjakut

 

Vëllazëria e gjakut (nga familja e ngushtë, tek ajo më e gjerë) është kategoria e katërt vëllazërore. Në kontekstin e përgjithshëm, më e larta e mundshme. Janë disa faktorë që e bëjnë këtë tip vëllazërie të radhitet në nivelin më të lartë. Ata janë: faktori biologjik, farefisnor, emocional e ambiental.

Kjo kategori është më e larta e mundshme, ngase e vetmja e ka mundësinë të ngërthejë vëllazërinë e katërfishtë.

 

 

Muhamet Krasniqi

Student i Departamentit të Sociologjisë – UP


Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi pasuesit e tij!

 

Të nderuar vizitorë!

Ju njoftojmë se përkohësisht nuk mund t'u përgjigjemi më pyetjeve të dërguara prej jush.

Ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për letrat tuaja dhe ju kërkojmë ndjesë për pamundësinë  e përgjigjeve.

Vazhdoni të na vizitoni për artikujt e rinj që do të publiklohen në të ardhmen, në dashtë Allahu.

Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin tuaj.

 

Redaksia

Desktop Poster

Posteri
Shiko galerine

Abonohu

Email adresa juaj:
 

Kursi Islam

Sample image
Kursi Islam pėr biznesmenė dhe tregtarė! Ligjėrata nga hoxhallarė eminent.

Dėgjo Kur'an

Sample image
Dėgjo Kur'an me titrim nė Gjuhėn Shqipe.Poashtu mund t'a zgjedhni recituesin.

Pėr ty motėr

Sample image
www.pertymoter.net | Webfaqe islame, ekskluzive pėr gjininė femėrore.

Na shkruani

Sample image
Opinionet ,sygjerimet apo pyetjet tuaja na dėrgoni nė: pyetje@klubikulturor.com



Tė gjitha drejtat e rezervuara. Klubi Kulturor (c) - 2010